Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni policor i koduar “Pojska”

Operacioni nga Fast Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën.

Kapet e vihet në pranga në Pogradec, një shtetas turk shumë i kërkuar nga drejtësia turke, i dënuar me 21 vite burg dhe i larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit, të cilit i kanë mbetur dhe 10 vite burg për të kryer.

42-vjeçari nga Konya e Turqisë, i dënuar për “Mashtrim të rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave të kredit” dhe së fundmi i kërkuar për “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, fshihej në Pogradec dhe për t’u maskuar mashtronte qytetarët duke bërë rolin e fizioterapistit.

Shërbimet e Fast Albania, pas marrjes së informacionit për një shtetas, shumë të kërkuar nga Turqia, që fshihej në Pogradec, organizuan punën dhe pas disa ditë mbajtjeje nën kontroll, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën, finalizuan operacionin policor të koduar “Pojska”.

Si rezultat i këtij operacioni, në shëtitoren “10 Dëshmorët e Pojskës”, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi, shtetasi turk:

-Salih Akkurt, 42 vjeç, banues në Konya, Turqi.

Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar pasi zyra Qëndrore Kombëtare e Interpol Tiranës është njoftuar nga Interpol Ankara, Turqi, se për këtë shtetas, më datë 05.05.2022, është lëshuar urdhër arresti nga Prokuroria e Izmirit, Turqi, në zbatim të vendimit nr. 2020/8992, datë 30.12.2020, në bazë të të cilit është dënuar me 21 vite 10 muaj e 15 ditë burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 10 vite e 1 ditë burgim, për veprat penale “Mashtrim i rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave te kredit” dhe “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, të parashikuar nga legjislacioni turk.

Gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi shërbimet e Policisë i kanë gjetur çeqe në shuma të mëdha monetare.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ankara, Turqi, dhe agjencitë ligjzbatuese vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Turqisë.