Në lagjen “Skënderbej”, në Elbasan, për shkak të një konflikti të çastit, të ndodhur disa ditë më parë, midis shtetasve E. M. dhe A. B., shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në Elbasan, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit A. B., 30 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte duke qarkulluar me automjetin e tij.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Shërbimet e Policisë që ishin në patrullim kanë reaguar mënjeherë dhe janë vënë në ndjekje të autorit, i cili ka hedhur armën e zjarrit gjatë ndjekjes nga Policia dhe ka mundur të largohet.
Forca të shumta të Policisë Elbasan, “Shqiponjat” dhe forca operacionale të DVP Elbasan kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po vijon veprimet, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.