Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 qershor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Velipojë/Informacion paraprak-Rreth orës 22:00, në Velipojë, në afersi të një resorti, në rrethana ende të paqarta  është plagosur me armë zjarri, shtetasi P. B. 48 vjeç, banues në Shkodër, i cili po transportohet për në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjeksore.Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupe të FNSH Shkodër, është rrethuar zona  dhe vijon krehja e saj me qëllim kapjen e autorit/eve.Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po  vijon punën  për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes  me qëllim  identifikimin e autorit/ëve.

DVP Shkodër-Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjëndje të lirë për shtetasin R. H., 43 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Shkodër-Kryebushat, duke drejtuar automjetin, nën efektin e alkoolit.Gjithashtu, nga këto shërbime u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjëndje të lirë për shtetasin B. D., 39 vjeç, banues në Shkodër, pasi duke drejtuar automjetin është përplasur me automjetin me drejtuese A. Y., 37 vjeçe dhe është larguar nga vendi i aksidentit.

-Shkodër – Më datë 14.06.2022, shtetasja D. K., 49 vjeçe, banuese në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, ka bërë kallëzim se më datë 01.06.2022, janë larguar nga banesa dhe nuk janë kthyer më 2 djemtë e saj, shtetasit  K. P., 17 vjeç dhe K. P., 15 vjeç. Punohet për gjetjen e tyre.Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Finalizohet operacioni i koduar “Quantity”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.Goditet 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.Sekuestrohen lëndë narkotike cannabis sativa dhe kokainë, të ndara në doza, gati për shitje, një aparat celular dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.Vihet në pranga poseduesi.Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Quantity”, gjatë të cilit është goditur 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike.Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:- F. M., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit F. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza, gati për shitje, një aparat celular dhe një shumë parash të dyshuar të përftuar nga aktiviteti i paligjshëm.Nga verifikimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. M., pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike kokainë dhe cannabis sativa, i ndante në doza të vogla, të cilat i shiste në zona të ndryshme të Tiranës.   Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Gjirokastër-Vijon operacioni policor “ROAD GUARD”.Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.Braktisi automjetin me të cilin transportonte emigrantë të paligjshëm, shpallet në kërkim 21-vjeçari.Sekuestrohet automjeti.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, në vijim të operacionit policor “ROAD GUARD” për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale.Në aksin rrugor Skërficë-Ura e Kardhiqit, në afërsi të fshatit Çepunë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të një automjeti tip “Benz”, në të cilin dyshohej se kishte emigrantë të paligjshëm.Sapo ka vënë re që po ndiqej nga Policia, drejtuesi i mjetit ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet.Si rezultat i veprimeve hetimore u identifikua drejtuesi i mjetit, shtetasi D. N., 21 vjeç, banues në Sarandë, në automjetin e të cilit u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm, të cilën ai po i transportonte, kundrejt fitimit.Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi D. N. Vijon puna për kapjen e tij.Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Tiranë-Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.Finalizohet operacioni policor i koduar “Eagle”, i zhvilluar nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”.Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Eagle”.Në kuadër të këtij operacioni, në rrugën “Lord Bajron”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:- L. S. (A), 27 vjeç, banues në Lushnjë.Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, për veprën penale “Vrasja” kryer në bashkëpunim, pasi në bashkëpunim me shtetasin K. B., 26 vjeç, banues në Lushnjë (i arrestuar më parë), në Korçë, më datë 13.06.2021, kanë goditur me sende të forta në kokë shtetasin F. Xh., duke i shkaktuar atij vdekjen.Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ka lëshuar urdhër ndalimi për 27-vjeçarin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Motos”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3.Zbardhen dhe dokumentohen disa raste të vjedhjes së motomjeteve, në Tiranë.Vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disaditore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Motos”.Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:- Ç. V., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi R. J., 28 vjeç, banues në Tiranë.Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur disa motomjete, në zona të ndryshme të Laprakës.Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se janë autorë të disa vjedhjeve, konkretisht:* Më datë 22.02.2021, në oborrin e një spitali, dyshohet se kanë vjedhur motomjetin e shtetasit E. S.;* Më datë 28.02.2022, në rrugën “Lord Bajron”, dyshohet se kanë vjedhur motomjetin e shtetasit K. Sh.;* Më datë 14.06.2022, në rrugën “Mahmut Fortuzi”, dyshohet se kanë vjedhur motomjetin e shtetasit B. J.Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Korçë-Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive qe rrjedhin nga aktiviteti kriminal.Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 15.100.000 lekë, në pronësi të një 35-vjeçari me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.Në vijim të punës për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, pas një periudhe dyvjeçare hetimesh, u bë ekzekutimi i vendimit të datës 08.06.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për vendosjen e sekuestros preventive për një pasuri me sipërfaqe 182 m² truall, ndërtesë 147 m² dhe kat shtesë 176 m², në rrugën “Naum Voskopoja”, Korçë. Kjo ndërtesë funksiononte si hotel dhe ishte në pronësi të shtetases L. K., 60 vjeçe, banuese në Korçë.Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasit E. D., 34 vjeç, banues në Korçë, i cili është dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.Të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal, ky shtetas dyshohet se i ka investuar në biznesin në emër të shtetases L. K., me të cilën ka lidhje familjare.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 104 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 17 janë arrestuar, 66 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, me 2 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e Policisë, si dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 7 raste, me 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 5 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt veprimtarinë e kundërligjshme të falsifikimit janë evidentuar 3 raste me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e mosbindjes/kundërshtimit ndaj punonjësit të Policisë janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe me 1 tjetër  të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 12 raste, prej tyre 2 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, 2 raste kanë mbetur në tentativë, gjithashtu me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e Policisë, ndërsa 8 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 4 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Ne fushën e veprave penale me objekt trafiqet e paligjshme janë evidentuar 6 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, me 10 shtetas shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të rënies zjarr, për të cilët vijon puna nga ana e Policisë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e tyre.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 12 raste, me 4 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë; “Kanosja për të mos kallëzuar”, me 1 shtetas të ndaluar dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilëve 5 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 9 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, si dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.