Vijojnë operacionet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “MDMA”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë.
Goditet 2 raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen doza me lëndë të dyshuar narkotike MDMA, cannabis sativa dhe tableta ekstazi.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, se një shtetas mbante droga të forta në vendin ku akomodohej, në Dhërmi, organizuan punën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin R. K., 23 vjeç, banues në Lipjanë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi, një sasi lënde të dyshuar narkotike MDMA dhe një sasi lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të ndara në doza.
Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura, goditën një tjetër rast, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 58 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke në përdorim të tij, në fshatin Shënvasil, Himarë, u gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.