Qarku Korçë – Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit M. A., 27 vjeç dhe G. A., 22 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi mbrëmjen e djeshme, në fshatin Pojan, kanë plagosur lehtë, me send të fortë, për motive të dobëta, shtetasin S. K., 45 vjeç, banues në Pojan. Punohet për kapjen e tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimin penal në gjendje të lirë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit J-L. T., 43 vjeç dhe M-J. W., 25 vjeç, banues në Australi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Citroen” me të cilin udhëtonin këta shtetas, në dalje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, shërbimet e Policisë gjetën në pjesën e kroskotit, disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimin penal në gjendje të lirë për veprën “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin M. S., 27 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje, në këtë fshat.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.