Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Vlorë kapën shtetasin e shpallur në kërkim M. N., 45 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, pasi më datë 24.05.2022, i ka vjedhur portofolin shtetases Q. S. Pas komunikimit me Prokurorin e çështjes, 45-vjeçari u procedua në gjëndje të lirë.
Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për shtetasin E. V., banues në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kushëririt të tij, shtetasit V. V., banues në lagjen “Partizani”, Vlorë.
Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për shtetasit:
– P. Z., banues në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi A. B., 39 vjeç, banues në fshatin Dhërmi, Himarë, se shtetasi P. Z. i ka pushtuar tokën, në fshatin Dhërmi;
– A. Q., 41 vjeç, banues në fshatin Dhërmi, Himarë, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, pasi ka keqtrajtuar djalin e tij të mitur 16 vjeç, i cili si pasojë është larguar nga shtëpia e të atit dhe aktualisht ndodhet pranë nënës së tij;
– S. S., banues në fshatin Qeparo, Himarë, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi L. T., 43 vjeç, banues në Sarandë, se shtetasi S. S. i ka bllokuar rrugën në fshatin Qeparo, Himarë.
Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për shtetasen B. N., 40 vjeçe, banuese në Sarandë, për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Kallëzimi i rremë”, pasi ka bërë njoftim të rremë në organet kompetente, me pretendimin se i kanë dhunuar një ambient që nuk është në pronësi të saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.