Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet e dedikuara në kryeqytet

Vijojnë kontrollet e dedikuara, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në kryeqytet.

Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga një drejtues mjeti që u përfshi në aksident duke drejtuar mjetin, nën efektin e alkoolit dhe të lëndëve narkotike, si dhe një drejtues tjetër mjeti që tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, për të shmangur masën administrative.

Ndërsa javës që lamë pas, rëndësi e veçantë i është kushtuar ndëshkimit të drejtuesve të mjeteve që tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera, si dhe drejtuesve të mjeteve që drejtojnë mjetin, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të atyre që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, nuk vendosin rripin e sigurimit apo që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara.

-Gjatë kësaj jave, shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë qenë gjithashtu të angazhuara në menaxhimin e trafikut rrugor para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes finale të UEFA Conference League, në sigurimin e eskortimit të ekipeve të futbollit, nga aeroporti ”Nënë Tereza”, në hotele, për stërvitje dhe për ndeshje në stadiumin “Air Albania”, sigurimin e rrugëkalimit të tifozëve të të dyja ekipeve, nga aeroporti “Nënë Tereza” në fan zonat e përcaktuara, dhe kthimin pas ndeshjes, sipas ekipeve, drejt Rinasit.

Gjatë javës që lamë pas janë arrestuar dhe proceduar në gjendje të lirë 23 persona, për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, për mitëdhënie dhe për shkelje të tjera.

-Në bulevardin “Bajram Curri”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një mjet, drejtuesi i të cilit, pas testit të alkoolit, rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer, drejtuesi i mjetit u ka ofruar punonjësve të Policisë, një shumë parash.

Gjithashtu, gjatë javës që lamë pas, punonjësit e Policisë Rrugore, gjatë verifikimit të një aksidenti, kanë arrestuar drejtuesin e njërit prej mjeteve të përfshira në aksident, shtetasin G. M., 25 vjeç, pasi ka rezultuar se drejtonte mjetin, nën efektin e alkoolit dhe të lëndëve narkotike.

•Janë pezulluar 79 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

•Janë vendosur 4.177 masa administrative, me një mesatare 596 masa në ditë, konkretisht për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, për parakalime të gabuara, për përdorim të aparatit celular, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për shpejtësi tej normave të lejuara, për shkelje të semaforit, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për xhama të zinj, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për qëndrime të gabuara etj.

•Janë bllokuar 11 automjete, për mungesë dokumentacioni apo me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar për verifikime të mëtejshme Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.

Policia Rrugore e Tiranës falënderon përdoruesit e rrugës që zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri.
#👮🏻👮🏻🚔🚨📵❌🥃