Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVP Gjirokastër -Vijon operacioni policor i koduar “Road Guard”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.Transportonin 3 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.Sekuestrohen 1 automjet dhe 2 aparate celulare.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Road Guard”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit D. S., 20 vjeç dhe A. S., 22 vjeç, banues në Tiranë.Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasit e mësipërm, duke transportuar me automjetin e tyre, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 2 aparate celulare.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Has-Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike në terren të hapur dhe në terren të mbyllur.Finalizohet operacioni policor i koduar “Tregtan”, i zhvilluar nga DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Has. Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, arrestohet në flagrancë 1 shtetas.Procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Tregtan, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale nē fushën e narkotikëve, efektivët e DVP Kukës, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Has, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tregtan”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi S. Q., 40 vjeç, banues në fshatin Tregtan.Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Tregtan, Has, në vendin e quajtur “Përroi i lagjes Qerkez”, kanë gjetur bimë të dyshuara narkotike kanabis që dyshohet se i ka kultivuar shtetasi S. Q.Në vijim të veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë shtetasi Xh. B., banues në fshatin Tregtan, me detyrë kryeplak i këtij fshati, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.
Durrës-Përndiqte në mënyrë të vazhdueshme një shtetase, arrestohet në flagrancë 25-vjeçari, i cili drejtonte automjetin, me leje drejtimi të falsifikuar.Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, shtetasin:E. T., 25 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur shtetasen A. D. Pas ndalimit nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të dokumentacionit të mjetit rezultoi se ky shtetas e drejtonte automjetin e tij, me leje drejtimi të falsifikuar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit-Finalizohet operacioni policor i koduar “Behram”.Operacioni u zhvillua nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë turke.Lokalizohet në Turqi, kapet dhe vihet në pranga një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 14 vjet burgim për vrasje.Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore të Turqisë, kapet në tentativë për t’u futur në Turqi, me dokumente të falsifikuara, 49-vjeçari nga Kuçova, i dënuar me 14 vjet burgim për vrasje.Pas marrjes së informacionit nga Policia Kufitare e Rinasit dhe strukturat hetimore të DVP Berat, u bashkëpunua me FAST Albania dhe pas shkëmbimit të informacionit ndërmjet Policisë Kufitare shqiptare dhe asaj turke, për vendndodhjen dhe tentativën për t’u futur në Turqi, të 49-vjeçarit, i cili më parë fshihej në Greqi, u organizua dhe u finalizua operacioni i përbashkët policor mes Policisë së Shtetit dhe Policisë turke, i koduar “Behram”.Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja në Turqi dhe deportimi në Rinas i shtetasit Petro Tane (Petrit Tabaku), 49 vjeç, banues në Kuçovë.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2006 është dënuar me 14 vjet burgim nga Gjykata e Apelit Vlorë, për veprat penale “Vrasja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Shtetasi Petro Tane, në vitin 1997, në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ka vrarë me armë zjarri automatik shtetasin A. S.Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, në ngarkim të këtij shtetasi.
DVP Korçë-Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të shtetasit A. S., 64 vjeç, banues në fshatin Kamenicë, Korçë, pasi dje, në këtë fshat, ky shtetas, duke drejtuar pa leje drejtimi një mjet bujqësor traktor pa targa, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një banese.Për pasojë është dëmtuar pasagjerja në këtë mjet, shtetasja R . S., 62 vjeçe, bashkëshortja e drejtuesit, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, të shtetasit B. B., 52 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec, pasi në banesë, ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike, duke e goditur me grushte bashkëshorten e tij shtetasen H. B., 47 vjeçe, për të cilën u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Devoll/Informacion paraprak-Paraditen e sotme, në spitalin e Bilishtit, ka mbërritur i pajetë një i mitur 2-vjeçar, nga fshati Sul, Devoll.Nga të dhënat e para dhe deklarimet e stafit mjekësor, dyshohet se fëmija ka humbur jetën pasi ka konsumuar aksidentalisht një sasi pije alkoolike (raki), nga një shishe që familjarët e kishin lënë në banesë.Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 122 shtetas, konkretisht: 1 është ndaluar, 14 janë arrestuar, 99 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste: 1 rast i veprës penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë; 3 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 3 raste të veprës penale “Kanosja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; si dhe 4 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” janë evidentuar 2 raste, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të shpallur në kërkim; për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 50 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Përndjekja”, me 1 shtetas të arrestuar; “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe “Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 5 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar 5 raste të veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës, me 54 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë; 1 rast i veprës penale “Pushtimi i tokës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për ngjarjet me objekt zjarrvënien janë evidentuar 6 raste, 2 prej të cilëve, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. 4 rastet e tjera dyshohen të jenë aksidentale, vijon puna e Policisë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e tyre.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 12 raste, prej këtyre janë 5 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 7 rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu është evidentuar nga 1 rast i veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, me 1 shtetas të ndaluar.
Është evidentuar 1 rast i veprave penale me objekt mashtrimin, me autorë të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë; janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë dhe me 1 tjetër të arrestuar.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të arrestuar.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilëve janë dëmtuar 4 shtetas, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Largimi nga vendi i aksidentit”, me autorë të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.