Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”

U kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 39-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. A., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 3, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Audi A3”, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt pagesës 120 euro për person, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.