DVP Berat – Ndalohet 1 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë

Ndalohet 1 shtetas, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Berat u bë ekzekutimi, në IEVP Berat, i vendimit të Gjykatës së Torinos, Itali, për shtetasin Edison Bega (Prifti), 43 vjeç, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, pasi kjo Gjykatë e ka dënuar me 8 vjet e 3 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, “Shfrytëzimi i të miturve për prostitucion”, “Dhunë seksuale ndaj të miturve” dhe “Skllavërimi ose mbajtja në skllavëri”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Ky shtetas aktualisht po vuan dënimin me 6 vjet burgim, në IEVP Berat, të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.”

Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. Sh., 69 vjeç, pasi u konstatua në fshatin Orizaj, Berat, duke ndërtuar një objekt dykatësh, pa lejen e organeve kompetente.

Gjithashtu, po procedohet penalisht në gjendje të lirë shtetasi P.Xh., 34 vjeç, banues në Berat, me detyrë Drejtor i Shërbimit Social në Bashkinë Berat, pasi ka përjashtuar nga asistenca sociale dhe bonusi i qirasë, shtetasen B. Gj. (e pastrehë).

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.