Policia Rrugore e Tiranës
Shkon në 17 numri i drejtuesve të mjeteve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan.
Drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike, kundërshtoi dhe goditi për shkak të detyrës punonjësit e Policisë, vihet në pranga 27-vjeçari.
Nisur nga sjelljet agresive të drejtuesve të mjeteve, Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar testet e drogës për drejtuesit e mjeteve që shfaqin sjellje agresive në rrugë dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë.
Si rezultat i kontrolleve intensive, ditën e djeshme, shërbimet e Qarkullimit Rrugor, në sheshin “Karl Topia”, kanë konstatuar shtetasin A. L., 27 vjeç, i cili drejtonte automjetin në mënyrë të parregullt dhe nuk i jepte përparësi këmbësorëve në vijat e bardha.
Gjatë shoqërimit, drejtuesi i mjetit ka kundështuar me forcë dhe ka goditur për shkak të detyrës, punonjësit e Policisë. Pas kryerjes së testit të drogës me AquilaScan, 27-vjeçari ka rezultuar se drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.
Në vijim të veprimeve është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. L., për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Policia Rrugore fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.