Makina inteligjente dhe radarët automatikë – 16 orë në qarkun Lezhë

Gjatë ditës së djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Lezhë dhe me patrullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, janë zhvilluar kontrolle dhe monitorime intensive të qarkullimit rrugor në akset rrugore Lezhë – Shëngjin, Lezhë – Shkodër dhe Lezhë – Fushë Krujë, duke përdorur makinën inteligjente, radarët automatikë, kamerat, dronët dhe aparatët fotografikë, si dhe patrulla të Policisë Rrugore në lëvizje me mjete të pauniformuara.

Si rezultat i përdorimit të flotës së pajisjeve të reja të Policisë Rrugore, në qarkun Lezhë, gjatë 16 orëve monitorim:

٠janë skanuar 503 mjete nga makina inteligjente dhe 145 mjete nga radarët automatikë, për qarkullim me shpejtësi mbi normat lejuara;

٠janë pezulluar 87 leje drejtimi, për periudha që variojnë nga 1 deri në 11 muaj, shoqëruar me masë administrative nga 8000 deri në 23.000 lekë të rinj dhe me zbritje nga 8 deri në 13 pikë nga leja e drejtimit;

٠janë ndëshkuar 118 drejtues mjetesh për shkelje të dyfishtë, krahas tejkalimit të shpejtësisë mbi normat e lejuara, edhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit. Masat administrative ndaj këtyre drejtuesve varjuan nga 20.000 deri në 40.000 lekë të rinj;

٠janë ndëshkuar 79 drejtues mjetesh për shkelje të dyfishtë, krahas tejkalimit të shpejtësisë mbi normat e lejuara, edhe për mospërdorim të rripit të sigurimit. Masat administrative ndaj këtyre drejtuesve varjuan nga 18.000 deri në 36.000 lekë të rinj;

٠janë ndëshkuar 87 drejtues mjetesh për shkelje të trefishtë, krahas tejkalimit të shpejtësisë mbi normat e lejuara, edhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, edhe për mospërdorim të rripit të sigurimit. Masat administrative ndaj këtyre drejtuesve varjuan nga 35.000 deri në 54.000 lekë të rinj;

٠janë ndëshkuar 6 drejtues mjetesh për shkelje të dyfishtë, krahas tejkalimit të shpejtësisë mbi normat e lejuara, edhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Masat administrative ndaj këtyre drejtuesve varjuan nga 6000 deri në 17.000 lekë të rinj.

Gjatë ditës së sotme makina inteligjente është zhvendosur në një tjetër qark të vendit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.