DVP Korçë – Vihen në pranga 5 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Në vijim të informacionit datë 05.05.2022, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim B. A., 39 vjeç, banues në fshatin Taç, Kolonjë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Në vijim të operacionit antidrogë, të koduar “Mesnata”, të finalizuar më datë 10.04.2022, si rezultat i të cilit u ndaluan 2 shtetas dhe u sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit A. B., 32 vjeç, banues në Pogradec.

Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, ka vendosur për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas, kishte dijeni për aktivitetin kriminal që ushtronin dy të ndaluarit por nuk kishte kallëzuar pranë organeve të rendit. Gjithashtu 32-vjeçari, organizonte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit në lokale të ndryshme të qytetit të Pogradecit, ku në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua një aparat celular dhe një sasi lekësh.

Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, i shtetasit M. S., 49 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, ky shtetas u kap duke kryer në ambientet e jashtme të biznesit të tij bar kafe, punime ndërtimi pa lejen e organeve përkatëse.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për veprën “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” për shtetasin L. V., 25 vjeç, banues në Grudë e Re, Shkodër, pasi ky shtetas në dalje të qytetit të Pogradecit, duke drejtuar mjetin tip “Citroen”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi.

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të shtetasit K. H., 34 vjeç, banues në Pogradec, pasi në rrugën Qafë Thanë-Pogradec, ky shtetas duke drejtuar mjetin tip “Minikuper”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por më pas u kap e ndalua. Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se drejtuesi i mjetit, drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” i shtetasit N. V., 43 vjeç, banues në Pogradec. Mbrëmjen e djeshme, ky shtetas në rrugën Petrushë-Pogradec, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip “Benz”, është përplasur me automjetin tip “Suzuki” pa targa, me drejtues shtetasin K. K., 35 vjeç, banues në Pogradec. Për pasojë u dëmtua shtetasi K. K., i cili pasi mori mjekim në Spitalin e Pogradecit u transportua në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pasagjeri i mjetit “Suzuki”, shtetasi J. M., 27 vjeç, banues në Pogradec, i cili ndodhet në Spitalin e Pogradecit, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filluan procedimin penal për veprën “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” për shtetasin P. N., banues në fshatin Drenovë, Korçë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale një armë gjahu çifte, të cilën e posedonte pa leje.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”, e shtetasit E. G., 47 vjeç, banues në Korçë, pasi mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 8, Korçë, ky shtetas ka goditur me grushte dhe ka kanosur me thikë, shtetasin E. B., 37 vjeç, banues në Korçë.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.