Fier – Aktivitet sensibilizues në gjimnazin “Janaq Kilica”, për sigurinë rrugore

“Siguria në rrugë, kontribut i të gjithëve, domosdoshmëri”.

Nën këtë moto, kanë vijuar aktivitetet sensibilizuese të efektivëve të Policisë Rrugore Fier dhe ndihmësspecialistëve të policimit në komunitet, të cilët këtë herë janë ndalur në gjimnazin “Janaq Kilica”, Fier.

Rritja e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë për nxënësit dhe mbi të gjitha sensibilizimi i drejtuesve të automjeteve dhe këmbësorëve për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor kanë qenë në fokus të aktivitetit që u zhvillua.

Punonjësit e Policisë, sikundër edhe në të gjitha takimet e organizuara deri më sot, janë ndalur tek disa nga faktorët që bëhen shkak për aksidente gjatë drejtimit të automjetit, ku në të shumtën e rasteve, viktima mbeten këmbësorët.

Shpejtësia tej normave të lejuara, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, përdorimi i pijeve alkoolike etj, janë disa nga shkaktarët e aksidenteve, por nuk mungojnë edhe rastet kur lëvizja pa kaskë mbrojtëse nga drejtuesit e motoçikletave apo pa rrip sigurimi ka sjellë pasoja fatale për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve.

Për t’u njohur nga afër me këto raste, nxënësit kanë dalë në terren, së bashku me efektivët e Policisë, të cilët për shkeljet e konstatuara, kanë vendosur masat administrative përkatëse.

Policia Rrugore e Fierit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar siguri maksimale në rrugë, si në akset brenda në qytet, ashtu edhe në periferi.

#SiguriaJuajPrioritetiYnë
#DVPFierPranëJush
#TëGjithëBashkëPërTëQënëMëTëSigurt