Policia Rrugore vijon kontrollet e dedikuara për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Gjatë 24 orëve të fundit, qindra masa administrative për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për shpejtësi tej normave të lejuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
Ndërkohë, shkon në 13 numri i drejtuesve të automjeteve që janë kapur duke drejtuar automjetet, nën efektin e lëndëve narkotike.
Në pranga edhe një drejtues tjetër automjeti që tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masës administrative, pasi drejtonte pa vendosur rripin e sigurimit, një automjet me xhama të errësuar.
Në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës kanë ndaluar, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, drejtuesin e një automjeti me xhama të errësuar më shumë se norma e lejuar në udhëzimin përkatës.
Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. A. ka shfaqur sjellje të dyshimta. Pasi i është nënshtruar testimit me aparatin AquilaScan, shtetasi A. A. rezultoi nën efektin e lëndëve narkotike.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. A., 21 vjeç, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve, në rrugën “Sulejman Delvina”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë ndaluar drejtuesin e një automjeti me xhama të errësuar, i cili po qarkullonte pa vendosur rripin e sigurimit.
Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i automjetit, shtetasi M. Ç., me qëllim shmangien e ndëshkimit, i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore, një kartëmonedhë 2000 lekëshe.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Ç., 33 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, t’u japin përparësi këmbësorëve, të mos përdorin aparatin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të mos kryejnë gara shpejtësie apo të drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit, sepse Policia Rrugore e Tiranës është e vendosur për të ndëshkuar cilindo drejtues automjeti që do të konstatohet në shkelje, nga shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat tashmë kanë mjete logjistike bashkëkohore në dispozocion.
Policia Rrugore fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.