Berat – Goditet një tjetër rast i mitëdhënies

Arrestohet një shtetas që tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Shërbimet e Policisë Rrugore, në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, kanë goditur një rast të mitëdhënies.

Gjatë shërbimit, punonjësit e Policisë Rrugore, në rrugën automobilistike, pranë rrethrrotullimit të ish-kombinatit, kanë ndaluar për kontroll një mjet tip “Opel, me drejtues shtetasin B. V. Pasi testimit me aparatin Drager, ky shtetas ka rezultuar në gjendje të dehur, në masën 1.12 mg/l.

Për t’iu shmangur procedurave të mëtejshme ligjore, drejtuesi i mjetit ka tentuar t’i korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore, duke iu ofruar një kartëmonedhë 5000 lekëshe.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi B. V., 59 vjeç u arrestua në flagrancë për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.