DVP Vlorë – Vihen në pranga 3 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim L. H., 28 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 05.04.2022, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

Ky shtetas dyshohet gjatë muajit mars të këtij viti, ka përdorur monedha të dyshuara të falsifikuara për blerjen e produkteve, në disa subjekte të ndryshme.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. S., 44 vjeç, banues në Targjas, Vlorë, pasi ka tentuar të godasë me mjet të mprehtë (thikë), për motive pronësie, shtetasin H. A., 46 vjeç, banues në Vlorë.

Po nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasit:

– E. S., 29 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”, pasi në lokalin e tij, në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, organizonte lotari të paligjshme, nëpërmjet telefonit;

– Sh. H., 64 vjeç, banues në lagjen “Partizani “Vlorë, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin R. Ç., 41 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Vlorë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, në ngarkim të shtetasit D. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi S. S., 61 vjeç, banues në fshatin Borsh, se 32-vjeçari i ka dëmtuar murin rrethues të pronës.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.