Gjatë 12 orëve të fundit, Policia e Fierit ka finalizuar 2 operacione policore, të koduara “Coin” dhe “Vilanova”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Spanjës.
Operacionet policore, të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, Komisariati i Policisë Fier, Stacioni i Policisë Roskovec dhe Interpol Tirana.
Në kuadër të operacionit “Coin” u kap shtetasi në kërkim ndërkombëtar A. Rr., 29 vjeç, banues në Mbrostar Ferko, Fier, pasi Gjykata e Coin/Spanjë, me vendimin e datës 21.04.2021, ka nxjerë urdhër arresti për veprën penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”.
Gjatë operacionit “Vilanova” u kap shtetasi në kërkim ndërkombëtar R. T., 23 vjeç, banues në Fier, pasi Gjykata Penale 2 e Vilanova/Spanjë, me vendimin e datës 20.08.2021, ka nxjerë urdhër arresti për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe kundër shëndetit publik.
Shërbimet e Policisë Fier, në bashkëpunim dhe me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses dy operacionet policore të koduara “Coin” dhe “Vilanova”, si rezultat i të cilëve u bë e mundur kapja dhe arrestimi provizor i shtetasve të lartpërmendur, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Spanjës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Spanjës.