Tiranë – Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. Sh., 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, si dhe proceduan penalisht shtetasin J. H., 25 vjeç, banues në Tiranë, për moskallëzim krimi.

Gjatë kontrollit të subjektit në administrim nga shtetasi M. Sh., të cilin ai e kishte përshtatur për përdorim droge, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi J. H., pasi nuk ka kallëzuar krimin.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim E. K., 30 vjeç, banues në Tiranë, sepse me anë të mashtrimit ka përvetësuar shuma parash nga 800-1000 euro, nga shtetas të ndryshëm.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. K., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetasit E. K., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasit G. X., 23 vjeç, E. Sh., 22 vjeç dhe K. M., 23 vjeç, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, në ngarkim të shtetasit K. M., 16 vjeç, pasi ka goditur me mjet prerës, për motive të dobëta, bashkëmoshatarin e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.