Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 shtator 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Vjeshta”. Gotitet një rast i përdorimit të kartëmonedhave false. Vihet në pranga një 30-vjeçar, i dyshuar si poseduesi i tyre. Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Narkotikëve dhe forcave të tjera operacionale pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për përdorimim të kartëmonedhave false në një aktivitet privat pranë lagjes “29 Nëntori”, Vlorë, menjëherë organizoi punën në grup për kontrollin e subjektit dhe kapjen e autorit. Nga kontrolli i ushtruar në këtë aktivitet, i ndodhur në rrugën “Hajredin Haxhiraj”, shërbimet e policisë kanë gjetur të fshehura 750 euro, të dyshuara si të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale dhe hetimore, Policia ka arrestuar në flagrancë 30-vjeçarin G. M. Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të këtij shtetasi, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi me homologët për kapjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia. Kapet dhe ekstradohet nga Danimarka 27-vjeçari nga Shkodra, i dyshuar për vrasje. Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kopenhagen/Danimarkë, i shtetasit shqiptar K. S., 27 vjeç, banues në Shkodër. Shtetasi K. S. alias K. M. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më datë 27.03.2019, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje, në bashkëpunim. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: shtetasi K. S. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 20.03.2019, ku në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Grudë, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, është vrarë me armë zjarri në automjetin e tij shtetasi N.P. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Kopenhagen, u bë i mundur arrestimi i tij në Danimarkë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Belsh – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Specialistët për hetimin e krimit ekonomik e financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Belsh, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative kanë bërë të mundur lokalizimin , kapjen dhe ndalimin e shtetasit: R. Z., 37 vjeç,  banues në Belsh. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës Parë Elbasan, e ka dënuar me 2 vjet burg, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Kamzë, Tiranë – Bashkëpunimi komunitet – polici vë në pranga një 31-vjeçar për armëmbajtje pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Shinat”. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov. Shërbimet e policisë të komisariatit Nr. 5, në sajë të informacioneve të dhëna nga qytetarët, finalizuan operacionin policor të koduar “Shinat”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 31 vjeç, banues në Kamzë/Tiranë. Shërbimet e policisë kanë marrë informacion nga qytetarët se ky shtetas në gomisterinë e tij mbante sende të kundërligjshme. Menjëherë nga shërbimet e policisë të komisariatit Nr. 5 është organizuar operacioni policor i koduar “Shinat”, ku në zonën e Fushë-Mëzezit, gjatë kontrollit të gomisterisë së shtetasit E. K., shërbimet e policisë kanë gjetur një armë zjarri kallashnikov, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprime të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe materialet u referuan për veprime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Mat – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Bie në prangat e Policisë një 26-vjeçar për veprën penale “Përndjekja”. Nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, u kap dhe ndalua shtetasi A.M, 26 vjeç, banues në Burrel. Ky shtetas, është shpallur në kërkim nga Shërbimet e Komisariatit të Policië Mat, për veprën penale “Përndjekja”, si dhe në ngarkim të tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat ka vendosur si masë sigurimi “Arrest në burg”,  për këtë vepër  penale. Materialet i  kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 7 janë ndalur dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës dhe 2 në Korçë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lire dhe 4 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 4 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.