Reagim i Policisë së Shtetit

Pas transmetimit në emisionin e sotshëm “Stop”, të një rasti ku dyshohet për abuzim me detyrën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra komisar L. B., shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj këtij punonjësi policie, për shkelje të rëndë.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën apo sjellje të pahijshme të punonjësve të Policisë dhe i inkurajon që të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuziv që mund të kryejnë punonjës policie, sepse Policia e Shtetit është e vendosur për të larguar nga radhët e saj çdo abuzues me detyrën dhe besimin e qytetarëve.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në luftën ndaj krimit dhe paligjshmërisë, ndaj askush brenda saj nuk mund të njollosë imazhin e mijëra burrave e grave, djemve dhe vajzave të Policisë që punojnë e sakrifikojnë duke zbatuar me korrektësi ligjin.