Si rezultat i hetimeve të thelluara, identifikohen dhe ndalohen edhe 2 shtetas të tjerë që ishin pjesë e grupit që ushtronte aktivitetin kriminal të dhënies ndihmë për kalimin e kufirit, kundrejt fitimit, shtetasve nga vendet e treta, me qëllim kalimin drejt vendeve të BE-së.
Më herët, në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në datën 25 shkurt 2022, u vunë në pranga 4 shtetas, u shpallën në kërkim 2 shtetas të tjerë, si dhe u procedua penalisht pronari i një hoteli në Tiranë.
Në kuadër të hetimeve të thelluara të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, kundrejt fitmit, shtetasve të huaj, me qëllim kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së, rast ky i goditur gjatë operacionit “SMUGGLING”, i zhvilluar më 25 shkurt 2022, është bërë i mundur identifikimi edhe i 2 personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Mbi bazën e provave të grumbulluara nga hetimi, si dhe informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me DVP Kukës, organizuan dhe finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “SMUGGLING”.
Si rezultat i këtij operacioni janë kapur dhe ndaluar shtetasit G. K., 26 vjeç dhe N. K., 28 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, (dhe grupin e goditur në operacionin e zhvilluar më parë,) i ofronin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve, shtetasve me origjinë siriane, duke ndjekur Rrugën e Arbrit, në drejtim të qytetit të Peshkopisë, me qëllim kalimin e tyre për në Kosovë, Serbi dhe Hungari.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete, 3 telefona celularë dhe një dokument identifikimi i lëshuar nga një organizatë jofitimprurëse.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal dhe kapjen e atyre të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.