Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, gjatë takimit me drejtuesit e Drejtorisë Arsimore Tiranë, drejtuesit e shkollave dhe oficerët e sigurisë në shkolla, për sigurinë në shkolla.
E nderuar drejtoreshë e Drejtorisë Arsimore Tiranë, drejtues të shkollave të mesme e të atyre 9-vjeçare, presidentë të qeverive të nxënësve dhe oficerë të sigurisë pranë shkollave të qarkut Tiranë.
Zakonisht, për një drejtues të lartë të një institucioni të rëndësishëm për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, siç është Policia e Shtetit, të cilën e drejtoj tashmë prej disa muajsh, takime të tilla mbeten nga më të veçantat, sepse bartin një përgjegjshmëri të lartë.
Përgjithësisht, në mjaft takime të organizuara nga strukturat tona, me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit dhe drejtues të institucioneve të ndryshme në vend, më së shumti kemi detyrimin të bëjmë analiza, bilance për të shkuarën, pasojat që ajo lë në realitetin e sotëm dhe masat e që duhen marrë për zgjidhjen e problematikave të ndryshme.
Në evenimente të tilla si ky i sotmi, çdokush prej nesh, që kemi përgjegjësinë ligjore e morale për t’ju garantuar juve një ambient sa më të sigurtë, do të na duhet që përballë jush, ta drejtojmë optikën e gjykimit dhe vlerësimit nga e ardhmja, pasi ajo përbën të panjohurën që shtrihet pas çdo hapi që ndërmarrim dhe kjo e ardhme për të cilën flasim janë vetë fëmijët tanë, nxënësit e studentët, të rinjtë e të rejat.
E kërkova këtë takim sot me drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, presidentët e qeverive të nxënësve dhe oficerët e sigurisë pranë shkollave në Tiranë, për ta parë dhe për t’i thënë njëri-tjetrit në sy të mirat dhe mangësitë që e karakterizojnë punën tonë, me qëllim që bashkërisht të krijojmë një ambient sa më të sigurtë në tempullin e dijes, që aty të mos depërtojë asnjë fenomen negativ, që i zoti i tempullit të dijes të jetë libri dhe mysafirë të jenë fëmijët tanë, pra nxënësit dhe studentët.
Prania juaj sot, por dhe roli që do të duhet t’u japin në proceset e ndryshme zhvillimore dhe integruese ku është përfshirë vendi ynë tashmë, i jep një tjetër dinamikë, ritëm dhe nuancë kauzës që na përket të gjithëve.
Kjo sepse e ardhmja kërkon një protagonizëm dhe koncepte më të avancuara, të cilat tashmë po formohen e konsolidohen në vetëdijen tuaj. E ardhmja do të vijë me imazhin tuaj, pasi ju tashmë jeni një ndër faktorët kryesor të ndërtimit të saj.
Vite më parë, kur ushtronte detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, i pranishëm në një takim si ky i sotmi, para një morie nxënësish, studentësh e pedagogësh, iu drejtua audiencës me këto fjalë: “Të dashur të rinj, ju këshilloj të ushtroni talentet tuaja dhe t’i kushtoheni më së shumti, leximit, sportit dhe artit dhe nga çdo gjë tjetër jeni të sigurtë dhe të mbrojtur nga shteti juaj!”
Përballja me jetën, sfidat dhe dukuritë e saj nis dhe ndihet që në bankat e shkollës. Po ashtu edhe përgjegjësia ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë.
Parë në këtë kontekst, mendoj se të gjithë së bashku, mësues, pedagogë dhe drejtues institucionesh arsimore, si dhe oficerët e sigurisë, jemi përgjegjës dhe në detyrim për edukimin dhe formimin e brezit të ri, me qëllim largimin e tij nga fenomenet negative që i shfaqen çdo shoqërie, siç janë droga, alkooli apo duhani dhe shmangien apo reduktimin e konflikteve mes adoleshentëve dhe të rinjve, si edhe krijimin e një klime ku kultura dhe arsimi të marrin rolin dhe peshën që i takon në botëkuptimin e kësaj gjenerate.
Një vend që shikon nga e ardhmja, padyshim që së pari duhet të përcaktojë si prioritet arsimin dhe të gjitha format dhe mjetet e edukimit të lidhura me rritjen e vetëdijës intelektuale tek të rinjtë. Pikërisht ne të gjithë së bashku, kështu e shohim dhe e vlerësojmë këtë stad dhe këtë proces edhe këtë takim të sotëm, i cili në pamje të parë duket paksa i shtyrë në kohë për shkak të angazhimeve të shumta, por aspak i vonuar.
E them këtë pasi ne, arsimin e kemi pasur në qendër të vëmendjes, duke i ushtruar monitorim të vazhdueshëm, kontakte të përditshme dhe shërbime që patrullojnë pranë shkollave, por ky takim ka për qëllim vendosjen e mëtejshme të një marrëdhënieje në një nivel tjetër mes Policisë dhe qeverisë së nxënësve, bordit të prindërve e drejtuesve në shkolla.
Një detaj tjetër me shumë rëndësi për të gjithë ne janë, oficerët e sigurisë të vendosur nëpër institucionet arsimore. Lidhur me këtë hallkë të rëndësishme të mbarëvajtjes së punës nëpër shkolla, duhet të sqarojmë se ata nuk duhet kurrsesi të kryejnë rolin e rojës së portës, por mbi të gjitha janë dhe duhet të jenë syri dhe veshi i Policisë së Shtetit dhe i Ministrisë së Arsimit.
Ata janë aty për të parandaluar e bashkëpunuar me të gjithë aktorët potencial, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë, në mënyrë që në themel të gjithçkaje të mbizotërojë libri, dija dhe vëmendja e përhershme ndaj nxënësve.
Prania e tyre sjell ndër të tjera edhe rritjen e frymës së bashkëpunimit me strukturat e rendit, ndaj çdo fenomeni negativ e çdo problematikë të çfarëdolloji në të cilin ajo shfaqet.
Bazuar në modelet më të qëndrueshme të cilat aplikohen sot në vendet e zhvilluara euroatlantike, ne do të duhet të përqëndrohemi më shumë në punën tonë, për t’i dhënë një protagonizëm edhe më të madh angazhimit të nxënësve në fushatat sensibilizuese, pasi impakti i tyre në jetën publike është i ndjeshëm dhe ndiqet me një interes të veçantë nga të gjitha shtresat shoqërore dhe instancat shtetërore.
Gjithashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur faktin i cili na ka bërë të kuptojmë se roli i qeverisë së nxënësve është shumë i madh, bordi i prindërve po ashtu, që mbeten treguesit më të rëndësishëm të demokratizimit të jetës në komunitetin arsimor dhe që na parashtrojnë shumë pika apo çështje të rëndësishme të cilat kthehen në detyra dhe objektiva të punës sonë.
Padiskutim që nuk mund të lihet jashtë vëmendjes edhe zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor, pasi siç e dimë, shumë shkolla janë buzë rrugëve dhe risku ndaj çdo pakujdesie apo shpërfillje të këtyre rregullave krijon precedentë me pasoja, ndonjëherë të parikuperueshme për ata individë që nuk i marrin parasysh këto rregulla me rëndësi jetike.
Ndër të tjera, do të duhet të mbahet parasysh edhe një tjetër tregues që po haset dendur vitet e fundit e që lidhet kryesisht me brezat e maturantëve të cilët parapëlqejnë të ndërmarrin veprime të papeshuara siç duhet. Njëri prej tyre është edhe marrja dhe drejtimi i automjeteve të prindërve e të të njohurve të tjerë, në shumë raste edhe për mbrëmjet e maturave.
Këto lloj dëshirash dhe kompleksesh është detyra jonë t’i neutralizojmë gjatë punës edukative dhe këshillimore që nis nga familja, shkolla dhe njësitë e Policisë në terren, për të ndërgjegjësuar këtë grupmoshë që të përdorin, ashtu si në vendet e zhvilluara, mjetet e transportit publik sepse ne duhet të bëjmë të qartë se kontrolli i Policisë është dhe do të jetë i rreptë në këtë drejtim.
Ky brez që synon të ndryshojë të nesërmen dhe që pas pak kohësh do të mbushë auditorët e universiteteve, duhet të kuptojë dhe të marrë përsipër që falë formimit dhe përgjegjësisë qytetare, të bëhen ata faktorë të rëndësishëm të bashkëpunimit me strukturat e Policisë dhe të denoncimeve ndaj paligjshmërisë. Për këtë, ju siguroj se mundësitë për të mos u identifikuar, do t’i kenë gjithmonë.
Për ta ilustruar këtë që sapo theksova po ju japim si shembull dhe mundësi Komisariatin Dixhital, dritare e cila ju vjen në ndihmë në çdo moment dhe është një hallkë e rëndësishme dhe me një shkallë veprimi të shpejtë, në mbrojtjen tuaj dhe të sigurisë publike.
Në asnjë rast, çdo forcë policore nuk do të funksionojë me tërë kapacitetin e saj pa ndihmën e komunitetit dhe kjo forcë shumëfishohet dhe motivohet edhe më tepër, kur përkrah saj radhiten përfaqësues nga gjenerata e re, pikërisht ata që projektojnë të ardhmen e shumëpritur të çdo vendi.
Ky s’do jetë takimi ynë i fundit, në të gjitha qarqet, drejtuesit e policive vendore do të zhvillojnë takime të hapura me drejtuesit e shkollave, qeveritë e nxënësve, me bordet e prindërve dhe oficerët e sigurisë, jo për të kaluar radhën, por me përgjegjësinë e lartë të detyrës dhe asaj prindërore, që të parandalojmë çdo fenomen negativ që i kanoset fëmijëve tanë.
Ju faleminderit dhe ju ftoj të bëhemi bashkë, në mënyrë që hapat e mëtejshëm t’i hedhim plot maturi dhe përgjegjësi në ndërtimin e së ardhmes që meritojmë ne dhe brezat që do të ecin në gjurmët plot siguri që krijuam.