Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 15”.
Transportonte 7 emigrantë nga vendet e treta, vihet në pranga 29-vjeçari.
Sekuestrohen një automjet dhe dy aparate celulare.
Shërbimet operacionale dhe shërbimet e kufirit të gjelbër të DVKM Gjirokastër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër dhe shërbimet FRONTEX, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 15”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije kapën në flagrancë, në aksin rrugor Libohovë-Nepravishtë, Gjirokastër, shtetasin N. Zh., duke transportuar me automjet, 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin N. Zh., 29 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe dy aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.