Finalizohet operacioni policor i koduar “Çipsat”, për goditjen e veprimtarisë në fushën e narkotikëve dhe organizimit të lojrave të fatit.
Sekuestrohen lëndë narkotike kanabis dhe çipsa pokeri brenda banakut të një lokali
Vihet në pranga 32 vjeçari, pronari i lokalit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në vijim të operacioneve dhe kontrolleve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve e lojrave të fatit, si dhe bazuar në informacione policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Çipsat”, duke bërë të mundur goditjen e një tjetër rasti të këtyre veprimtarie.
Si rezultat i këtij operacioni, është arrestuar në flagrancë shtetasi J.P.(K.). 32 vjeç, banues në Mirditë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet policore në lokalin e tij, tek banaku, i janë gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike dhe një valixhe me çipsa si ato që përdoren për lojra fati, të cilat u sekuestruan në cilësinë e proves materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” Organizimi ” Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”.