Operacioni, nga Komisariati i Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.
Sekuestrohen 2 armë zjarri, municion luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe lëndë narkotike.
Kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari që i posedonte.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një person që qarkullonte me armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pistulli”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. Gj., 49 vjeç, banues në fshatin Pistull, Vau i Dejës.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në mjetin tip “Volkswagen”, që drejtohej nga ky shtetas, kanë gjetur dhe sekuestruar nje armë zjarri, me një krehër me fishekë, si dhe një sasi lëndë narkotike cannabis sativa.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. Gj., shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, me një krehër me fishekë, 4 krehra, rreth 200 fishekë të llojeve të ndryshme, 26 kapsolla detonatore, 6 detonatorë elektrik, 1 kallëp si ajo e lëndës eksplozive, 2 fitil zjarrpërcjellës dhe një dorezë ebaniti, të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.