Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Pending”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1.
Vihet në pranga një 45-vjeçar i shpallur në kërkim për vjedhje.
Zbardhen dhe dokumentohen 5 raste të vjedhjeve në banesa, që dyshohen se janë kryer nga ky shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Pending”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit:
– E. S. (M)., 45 vjeç, banues në Reps, Mirditë, i shpallur në kërkim për vjedhje, nga Komisariati i Policisë Nr. 1, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara, ka rezultuar se ky shtetas është autor i disa ngjarjeve të ndodhura në muajt e fundit, konkretisht:
* Më datë 01.10.2021, në rezidencën “Kodra e Diellit 2”, ka vjedhur sende me vlerë në banesën në pronësi të shtetasit G. A.;
*Po në datë 01.10.2021, ka tentuar të vjedhë në banesën në pronësi të shtetasit M. K.;
* Më datë 16.10.2021, në rrugën “Bill Klinton”, ka vjedhur kasafortën me vlera monetare në pronësi të shtetaset D. B.;
*Më datë 10.02.2022, te “Liqeni i Thatë”, ka vjedhur shuma parash dhe bizhuteri, në banesën në pronësi të shtetasit L. M.;
*Më datë 09.04.2022, në rezidencën “Kodra e Diellit 2”, ka vjedhur shuma parash dhe bizhuteri, në banesën në pronësi të shtetasit N. K.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.