Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Vlorë.
Sekuestrohen një sasi farash kanabisi. Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas posedonte fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Stacioni”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– O. Ç. 24 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, në vendin e quajtur “Stacioni i trenit”, në lagjen “24 Maji”, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 600 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.