Vihet në pranga një 34-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor “Baz”, si rezultat i të cilit në aksin rrugor Laç-Mamurras, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:
Gj. D., 34 vjeç, banues në Baz, Mat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi me datë 12.10.2021, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e tij, i është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike canabis sativa dhe një armë zjarri automatik.
Gjykata e Rrethit Mat ndaj këtij shtetasi ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprat penale të lartëpërmendura.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme.