Interpol Tirana – Ekstradohen nga Gjermania dhe Italia dy shtetas të kërkuar nga drejtësia shqiptare

Nga Specialistët e Interpol Tirana, u bë ekstradimi nga Gjermania drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar Ilir Demolli, 54 vjeç.

Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Mynih, më datë 05.03.2019, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”.

Ky shtetas, në vitin 2012, i kishte marrë me anë të mashtrimit shtetases F.SH., një shumë prej 230 000 eurosh, duke ju prezantuar si drejtor i një banke private. Nga kjo shumë, ky shtetas i ka kthyer të dëmtuarës vetëm shumën 25 000 euro.

Po nga Specialistët e Interpol Tirana, u bë ekstradimi nga Roma/Itali, i shtetasit shqiptar M. H., 27 vjeç.

Shtetasi M. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.

Shtetasi M. H. ka trafikuar dhe shfrytëzuar për prostitucion, në Itali, në periudhën 2012-2013, një shtetase, e cila në atë kohë ishte minorene.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.