Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 shtator 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Interpol Tirana – Ekstradohen nga Gjermania dhe Italia dy shtetas të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Nga Specialistët e Interpol Tirana, u bë ekstradimi nga Gjermania drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar Ilir Demolli, 54 vjeç. Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Mynih, më datë 05.03.2019, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”. Ky shtetas, në vitin 2012, i kishte marrë me anë të mashtrimit shtetases F.SH., një shumë prej 230 000 eurosh, duke ju prezantuar si drejtor i një banke private. Nga kjo shumë, ky shtetas i ka kthyer të dëmtuarës vetëm shumën 25 000 euro. Po nga Specialistët e Interpol Tirana, u bë ekstradimi nga Roma/Itali, i shtetasit shqiptar M. H., 27 vjeç. Shtetasi M. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”. Shtetasi M. H. ka trafikuar dhe shfrytëzuar për prostitucion, në Itali, në periudhën 2012-2013, një shtetase, e cila në atë kohë ishte minorene. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Shkodër – Vijon operacioni kundër krimeve mjedisore. Finalizohet operacioni “Maranaj”, për parandalimin e prerjes së paligjshme të pyjeve. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër. Sekuestrohen 30 m³ lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme. Procedohen 3 shtetas për prerje të paligjshme të pyjeve. Procedohet penalisht edhe një insektor i pyjeve që mbulon zonën ku u evidentuan rastet e prerjes së paligjshme të pyjeve. Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë së Shkodrës, në zbatim të planit të posaçëm në shkallë vendi, kundër informalitetit dhe krimeve mjedisore, ka organizuar operacionin “Maranaj”, që është ende në vijim. Deri tani, nga shërbimet e Policisë është bërë sekuestrimi i rreth 30 m³ lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme, që transportohej me kamionë në drejtim të Shkodrës. Janë proceduar penalisht për veprat penale ”Fshehja e të ardhurave” dhe ”Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasit A.N., A.C. dhe R.K., pasi u kapën në flagrancë gjatë operacionit në bjeshkët e Domnit të Njësisë Administrative Postrribë duke transportuar me kamionët e tyre në drejtim të Shkodrës lëndën drusore, për të cilën nuk dispononin dokumentacion përkatës. Gjithashtu, u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Z.GJ., me detyrë inspektor i pyjeve, pasi nuk ka ushtruar kontroll në zonën që mbulon. Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital duke u garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 103 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 6 janë ndalur dhe 79 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar  7 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 2 në Lezhë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Berat; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 4 në qarkun Tiranë dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lire, si edhe 7 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike është evidentuar 1 rast, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 12 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 6 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Korçë, 2 në Fier dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 12 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 10 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.