Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Policia e Shtetit – Bashkëpunim i ngushtë mes Interpol Tirana dhe Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë (DSS). Ekstradohet nga SHBA, një shtetas i dënuar në Shqipëri për falsifikim të dokumenteve. Ky shtetas i dënuar dhe në SHBA, ku ka kryer 5 vite burg për veprën penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”. Z.Q.K. Interpol Tirana në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë (DSS) ka ekstraduar nga SHBA-ja në Shqipëri shtetasin D.M, 32 vjeç, lindur në Elbasan. Në aeroportin “Nënë Tereza” me ndihmën e Agjencisë për Emigracionin dhe Doganave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ICE-ERO), Shërbimi Diplomatik i Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), u ka dorëzuar specialistëve të Z.Q.K. Interpol Tirana 32-vjeçarin D.M. Ky shtetas ka vuajtur dënimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ka qenë i dënuar me 5 vjet burg nga Gjykata e Illinois/SH.B.A, me vendim penal nr. 10CR217, datë 11.05.2011, për veprën penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”. Gjithashtu ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”. Rasti i fundit është një prej listës së gjatë të ekstradimeve që DSS ka kryer në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana. Suksesi i këtyre rasteve të zbatimit të ligjit ndërkombëtar është për shkak të lidhjeve të ngushta dhe marrëdhënieve të forta midis Zyrës së Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), ZQK Interpol Tirana dhe Policisë së Shtetit Shqiptar. Falë këtij niveli të lartë bashkëpunimi, shumë vrasës, vrasës të punonjësve të policisë, trafikantë droge, grabitës të armatosur, kontrabandistë njerëzish dhe shumë kriminelë të tjerë, janë ekstraduar nga SHBA-ja në Shqipëri ose nga Shqipëria në SHBA për t’u përballur me drejtësinë për krimet e kryera. Bashkëpunim mjaft i mirë edhe me Interpol Mynih/Gjermani. Ekstradohet nga Gjermania, një shtetas i kërkuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Mbrëmjen e djeshme u krye ekstradimi nga Mynih/Gjermani drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar A. Xh., 21 vjeç, lindur në Gjoricë e Epërme, Dibër. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal nr. 333, datë 15.07.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Në datën 29.04.2017 oficerët e policisë kufitare kanë sekuestruar 104,75 kg cannabis sativa, të cilën shtetasi A. Xh. ka tentuar ta trafikojë nëpërmjet kufirit tokësor drejt Maqedonisë së Veriut. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit, me qëllim përballjen e tyre me drejtësinë e vendeve të cilat i kanë shpallur në kërkim.
Tiranë – Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në Tiranë, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri 26-vjeçari I.Ç, i cili mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spital. Shpallen në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, dy vëllezër, djemtë e pronarit të vilës, si autorë të dyshuar të ngjarjes. Arrestohen në flagrancë për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetes”, 4 shtetas, mes tyre edhe pronari i vilës. Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore intensive, duke përdorur edhe metodat speciale të hetimtit, ka bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentinin e ngjarjes së ndodhur më datë 22.08.2019, rreth ores 11.00, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se ne ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe, shtetasi G.K, 31 vjeç, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin A. K, 28 vjeç, pas një konflikti të çastit me shtetasin I.Ç, teknik kondicionerësh, i cili po kryente kondicionimin e vilës, ka plagosur rëndë me armë zjarrin shtetasin I.Ç, i cili mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spital. Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit E.S., 43 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” dhe F. B, 41 vjeç, B. K., 54 vjeç dhe L. Ç., 36 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”, pasi dyshohet se kanë qenë prezent ne momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar organet kopetente sipas detyrimit ligjor. Vijon puna për kapjen e autorëve të shpallur në kërkim. Po nga veprimet hetimore, rezultoi se këta shtetas kanë biseduar me shtetasin L.V, me të cilin kishin lidhje shoqërore dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të kryera, shtetasi L.V., 27 vjeç banues në Tiranë, gjatë orëve të vona të natës është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg “, për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve lufatarke dhe municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Materialet do t’i kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
Durrës – Falë bashkëpunimit Polici-Komunitet, finalizohet operacioni “Periferia” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave. Zbardhen 13 vjedhje banesash në qytetin e Durrësit. Arrestohet në flagrancë 34-vjeçari, në tentativë për të vjedhur në një banesë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, falë bashkëpunimit me qytetarët kanë arrestuar në flagrancë një shtetas, i cili gjatë natës vidhte banesa në qytetin e Durrësit. Është arrestuar shtetasi D.T., 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Më datë 23.08.2019 ky shtetas është kapur në flagrance, në lagjen Nr.15 Durrës, në tentativë për të vjedhur banesën e shtetasit A.S, si dhe po gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kishte vjedhur në banesën e shtetasit M.Q., dy telefona celularë dhe vlera monetare. Pas një pune profesionale dhe hetimore të kryer nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gyqësor Durrës, dyshohet se shtetasi D.T., gjatë dy muajve të fundit ka realizuar edhe disa vjedhje të tjera banesash në periferi të qytetit të Durrësit, i cili gjatë natës futej nëpër banesa nëpërmjet dritareve, kur njerëzit ishin në gjumë dhe vidhte sende me vlerë. Më datë 04.07.2019, gjatë natës, në lagjen Nr. 15, Durrës, dyshohet se ka vjedhur banesën në pronësi të shtetasit A.T., ku ka marrë një televizor plazma. Më datë 28.07.2019, në fshatin Xhafzotaj, Durrës, dyshohet se ka vjedhur vlera monetare në banesën e shtetases Z.I. Më datë 10.08.2019, në lagjen Nr. 18 Durrës dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit E.M., 20 vjeç, një telefon celular dhe vlera monetare. Më datë 11.08.2019, dyshohet se ka vjedhur një televizor në banesën e shtetasit G.V. Më datë 11.08.2019, dyshohet se ka vjedhur një televizor në banesën e shtetases L.K. Më datë 20.08.2019, gjatë natës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit A.M., banues në lagjen Nr.14/1. Më datë 21.08.2019, gjatë natës, në Arapaj, Durrës, dyshohet se ka vjedhur një televizor plazma dhe disa bizhuteri banesën e shtetasit N.A. Më datë 21.08.2019, gjatë natës, në lagjen Nr.15, Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë banesën e shtetases B.C. Më datë 21.08.2019, gjatë natës, në lagjen Nr.15, Durrës, dyshohet se ka vjedhur një televizor plazma dhe një celular në banesën e shtetasit Z.M. Më datë 22.08.2019, gjatë natës, në fshatin Rrashbull, Durrës dyshohet se ka vjedhur me thyerje banesën e shtetasit A. Q. dhe ka marrë disa bizhuteri. Më datë 22.08.2019, gjatë natës, në fshatin Rrashbull, Durrës dyshohet se ka vjedhur me thyerje banesën e shtetases R.S. dhe ka marrë dy telefona celularë dhe vlera monetare. Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale telefona celularë dhe vlera monetare. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale”Vjedhja”.
Burrel – Zbardhet ngjarja e ndodhur në mbrëmje në fshatin Baz të Burrelit, ku u plagos me armë zjarri një shtetas. Kapet në kohë rekord dhe arrestohet 35-vjeçari, autori i ngjarjes. Sekuestrohet një armë zjarri “çifte”. Më datë 22.08.2019, rreth orës 22.10, shërbimet e Policisë së Komisariatit Mat, kanë marrë informacion se në fshatin Baz, në Burrel, shtetasi F.Gj, 35 vjeç, për motive të dobëta, ka plagosur me armë gjahu dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, shtetasin A.Gj, rreth 60 vjeç, banues në fshatin Baz, i cili ndodhet në spitalin e Traumës, Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen, dokumentimin e kapjen e autorit të ngjarjes dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë bërë të mundur kapjen në kohë rekord të shtetasit F.Gj, autori i ngjarjes. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Mat për hetime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimit ndaj personit, falë bashkëpunimit me qytetarët. Operacioni policor i koduar “Aleati”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6 Tiranë. Kapet dhe arrestohet një person i shpallur në kërkim për veprat penale ”Vrasja me dashje, e mbetur ne tentativë” në bashkëpunim dhe ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Në momentin e kapjes në një lokal, shtetasi A.Gj kishte me vete në cantën e dorës një armë zjarri pistoletë, me 5 fishekë luftarakë. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, si dhe falë bashkëpunimit shumë të frytshëm me aleatin më të çmuar të Policisë së Shtetit, qytetarët, shërbimet e Seksioneve për Krimet në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas informacioneve të marra për një person në kërkim, i cili ndodhej në një lokal në rrugën “Teodor Keko” dhe dyshohej se kishte dhe armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin e koduar “Aleati”, i cili u finalizua me kapjen në flagrancë të shtetasit A.GJ. 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Në momentin e kapjes në lokal, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Policia, këtij shtetasi iu gjet në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë me 5 fishekë luftarakë. Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale ”Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Shtetasi A. Gj, më 13.05.2018, në bulevardin “Bajram Curri”, pas një konfikti të çastit, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. B., i cili ka mbetur i plagosur. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 99 shtetas, konkretisht: 19 janë arrestuar, 5 janë ndalur dhe 75 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Kukës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja”, në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër, 1 në Dibër; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lire; 1 rast i “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, në Tiranë, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në qarkun Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 12 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Durrës dhe 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Korçë, 2 në Berat, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shaktërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 17 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 7 shtetas që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 2 në Tiranë, 1 në Korçë, 2 në Fier, 1 në Gjirokastër, 1 në Shkodër, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, në qarkun Korçë, i cili është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.