Vlorë/Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 5.4 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte lëndë narkotike në banesë, kanë organizuar punën, duke ushtruar kontroll në banesën e shtetasit T. M., në fshatin Bashaj, Vlorë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 5.4 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë të shtetasit T. M., 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, banues në fshatin Bashaj, Vlorë
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe Shitja e Lëndëve Narkotike”.
– – – – – –
Sarandë/ Vodhi me dhunë aparatin celular të një shtetaseje, Policia kap dhe arreston 26-vjeçari.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Metoq, Sarandë, duke qëndruar në automjet, shtetases S. A. i kishin marrë me dhunë një aparat celular, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilët falë mirëorganizimit të punës, veprimeve të shpejta, kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan për veprën penale “Vjedhje me dhunë” shtetasin E. L., 26 vjeç, banues në Sarandë.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme.