Vihet në pranga një 36-vjeçar pasi kërcënoi me jetë bashkëshorten dhe familjarët e saj.
Sekuestrohen 27 granata ofensive dhe difensive.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: F.M., 36 vjeç, banues në Elbasan.
Policia e Elbasanit ka marrë njoftim se ky shtetas kërcënonte me jetë bashkëshorten dhe familjarët e saj se do t’i vriste me granata, të cilat i kishte të fshehura në shtepinë që kishte në fshatin Bizhutë e Poshtme.
Policia ka vlerësuar menjëherë informacionin dhe falë reagimit në kohë u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i 27 copë granatave difensive dhe ofensive.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve luftarake, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”.