Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 gusht 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Goditet një bazë e përpunimit të drogave të forta. Finalizohet operacioni policor i koduar “Baza”. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që kishin përshtatur banesën e marë me qira si bazë për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë. Sekuestrohen 408 gramë lëndë narkotike heroinë, 11.5 gr lëndë narkotike kokainë, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi vlere monetare. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Seksionit për Narkotikët në DVP Durrës, në vijim të kontrolleve me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, kapjen e personave që disponojnë armë zjarri, si dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara nga Komisariati i Policisë Durrës, kanë mirorganizuar punën dhe si rezultat kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Baza”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. Xh., 32 vjeç dhe E. V., 33 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të dy banues në Durrës. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marë me qira një banesë në lagjen nr.8, Durrës dhe e kishin përshtatur atë për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.  Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri tip “Beretta”, municion luftarak, 2 peshore elektronike, një sasi prej 73.940 lekësh të rinj dhe 49 euro vlerë monetare e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, 408 gramë lëndë narkotike heroinë dhe 11.5 gramë lëndë narkotike kokainë, të cilën këta shtetas e përgatisnin në doza të vogla, gati për shitje në qytetin e Durrësit. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Gjirokastër – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrollit të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimi  dhe goditjen e tentativës së kultivimit të bimëve narkotike goditen dy raste të kësaj veprimtarie kriminale, gjithashtu goditet dhe një rast i armëmbajtjes pa leje. Vihen në pranga 5 shtetas. Sekuestrohet një armë zjarri automatik. Në zbatim të Planit të Masave “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale kapjen e autorëve që mbajnë armë zjarri pa leje”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas posedonte armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e tij në fshatin Luftinjë, Memaliaj. Shërbimet e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, të cilën ky shtetas i posedonte pa leje. Në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës së kultivimit të bimëve narkotike.  Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve arrestuan në flagrancë shtetasit  A. P., 38 vjeç, banues në Gjirokastër; T. M., 39 vjeç, banues në Këlcyrë dhe E. K., 47 vjeç, banues në Kuçovë,  pasi këta shtetas në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë tentuar të kultivojë bimë narkotike në një ambient të hapur, në afërsi të fshtatit Këllëz.    Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin L. B., 62 vjeç, banues në fshatin Mamaj, Tepelenë, pasi ka tentuar kultivoj bimë narkotike në bahçen e banesës së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” për shtetasin O. Y., 38 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec, pasi në fshatin Baçallëk, Pogradec, ky shtetas ka djegur një sipërfaqe prej 3 (tre) dynymë barishte dhe shkurre. Gjithashtu specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të tre shtetasve për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” konkretisht: M. P., 30 vjeç, banues në fshatin Shelegar, Sarandë, pasi në afërsi të fshatit Zëmblak, Maliq, ky shtetas u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Opel”. S. Sh., 57 vjeç, banues në fshatin Guras, Pogradec, pasi në kryqëzimin e fshatit Vërdovë, ky shtetas u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, mjetin tip motor të markës “Yamaha” pa targë; R. V., 25 vjeç, banues në fshatin Stropan, Devoll, pasi në afërsi të fshatit Baban, ky shtetas u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin tip motor të markës “Sgybo” pa targë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Dimal/Berat – Kontrolle të shtuara nga Komisariati i Policisë Berat, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen një pushkë gjysmëautomatike dhe një mitraloz, vihet në pranga poseduesi.   Në zbatim të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale kapjen e autorëve që mbajnë armë zjarri pa leje”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas posedonte armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat kanë mirorganizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, në fshatin Pobrat, Dimal.  Forcat e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. S., në ambientet e jashtme gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pushkë gjysmëautomatike dhe një mitraloz, të cilat ky shtetas i mbante pa leje. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. S., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 26 janë arrestuar në flagrancë dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 1 rast i “Kanosja”, 1 në Durrës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 6 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 3 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr, 1 në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Korçë, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për “Shpërdorim detyre”, 2 në Vlorë dhe 2 në Dibër.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për armëmbajtje pa leje, 1 në Berat dhe 1 në Gjirokastër.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Fshehja e të ardhurave”.

Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”

Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Lezhë proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.