DVP Vlorë – Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Si rezultat i kontrollit të territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë dhe të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Vranisht.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. H., pasi dyshohet se ka kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa në një sipërfaqe toke në fshatin Vranisht.

– – – –

Paraditen e djeshme, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur gjetja e shtetasit të mitur R. T., 12 vjeç, i cili ishte larguar disa ditë më parë, nga banesa e tij në Tiranë. I mituri aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, shtetasja B. M., 50 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi është konstatuar duke shfrytëzuar 12-vjeçarin për të lypur.

– – – –

Gjatë ditës së djeshme, në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u procedua penalisht shtetasi:

S. T., 50 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Zvërnecit, Vlorë, u konstatua se ky shtetas kishte zënë hapësirën publike duke vendosur 140 shezlongë dhe 80 çadra pa lejen e organeve kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

– – – –

Rreth orës 03:10, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht një lokal, në pronësi të shtetasit K. Sh., ku ka vetëm dëme të vogla materiale.

Grupi Hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.