Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kavajë – Policia e Kavajës arreston në flagrancë 5 persona, si dhe shpall në kërkim një tjetër në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 04.07.2019, rreth orës 12:20, në lagjen Nr.4, në afërsi të Teqese në Kavajë, pas një konfikti për motive të dobëta mes disa shtetasve, ku u përdorën dhe armë zjarri dhe për pasojë humbi jetën një kalimtar si dhe u plagosën 5 shtetas të tjerë, në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i drejtuar nga Prokurori i Rrethit, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i kësaj ngjarjeje. U arrestuan në flagrancë 5 shtetas dhe konkretisht: M.A., 31 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 1 Kavaje, për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”; A.D., 43 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 4 Kavaje, (i denuar më parë), për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbeturr në tentativë’ dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”; E.H., 22 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 5 Kavaje, për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”; Q.M., 25 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr. 5 Kavaje, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”; A. K., 39 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 6 Kavaje, për veprat penale “Moskallëzim i Krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Gjithashtu u bë shpallja ne kerkim e shtetasit D.A., 33 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 1 Kavajë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë’ dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 3 automjete, te cilat jane perdorur nga autoret e dyshuar, aparate celular, fisheke luftarak si dhe një sërë provash te tjera, te cilat janë dërguar per ekzaminim te metejshem laboratorik. Nga veprimet e kryera deri tani rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ku shtetasit E.H., A.D. dhe Q.M. janë konfliktuar me shtetasit M.A. dhe D.A., konflikt, i cili është përshkallëzuar deri në përdorim të armëve dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme një kalimtar i rastit shtetasi R.H., 52 vjeç banues në Kavajë, si dhe janë plagosur shtetasit A.D., E.H., A.A., S. M. dhe M.A., të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Vijojnë veprimet hetimore dhe procedural me grumbullime për grumbullimin e infoirmacioneve dhe provave të tjera. Materialet hetimore ne lidhje me këtë ngjarje iu kaluan Prokurorise Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë për hetime të metejshme.

Maliq – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Zereci”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, trafikimit të të miturve dhe armëmbajtjes pa leje. Parandalohet trafikimi i një shtetaseje të mitur në drejtim të Greqisë me qëllim shfrytëzimi për prostitucion. Goditet edhe një tentativë e kultivimit të bimëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 7 shtetas, ndër ta pjesëtari i një organizate kriminale, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë në Greqi. Shpallet në kërkim edhe një shtetas tjetër. Sekuestrohen armë zjarri dhe të ftohta, municione luftarake, granata dore, vlera monetare (lekë, dollarë euro), bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa, një armë zjarri, një armë e ftohtë. Në vijim të punë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, në kuadër të procedimit penal të nisur 2 muaj më parë, ndjekur me metoda speciale hetimi, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh dhe Sektorit për Rendin e Policimin në Komunitet në DVP-Korçë, u finalizua me sukses operacioni i koduar ”Zereci”, si rezultat i të cilit u ndaluan shtetasit: R.L, 33 vjeç, banues në Drithas, Maliq, (i dënuar më parë në Greqi për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja me armë”, vepra penale këto të kryera në kuadrin e organizatës kriminale); M.F, 37 vjeç, banues në Kakaç, Maliq; E.B, 34 vjeç, banues në Petrushë, Pogradec; R.M, 29 vjeçe, banuese në Kakaç, Maliq; E.K, 26 vjeç, banues në Zerec, Maliq; O.M, 39 vjeç, banues në Zerec, Maliq; Ç.F, 36 vjeç, banues në Kakaç, Maliq (i dënuar më parë për vjedhje) për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Si edhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit L.P, 28 vjeç, banues në Shelcan, Elbasan. Nga hetimet e kryera është provuar se shtetasit R.L, M.F, E.B, R.M dhe L.P, kishin planifikuar të trafikonin për qëllim prostitucioni në drejtim të Greqisë një shtetase të mitur. Gjithashtu shtetasit R.L, M.F, E.K dhe O.M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë të dyshuara Cannabis Sativa, në territorin e fshatit Zerec, Maliq, të cilat u asgjësuan gjatë operacionit dhe një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës material. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar gjithashtu, 1 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë e ftohtë (thikë) e ngjashme me ato të Forcave të Ushtrisë, 2 granata dore ofensive dhe difensive, një sasi fishekësh luftarakë, lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një sasi lekësh, dollarësh dhe eurosh, si edhe një automjet tip “Benz”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.

Tiranë – Policia e Tiranës vijon kontrollet në të gjithë qarkun për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundraligjshëm të lojërave të fatit. Procedohet penalisht 1 shtetas për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”. Sekuestrohet 1 tavolinë pokeri dhe çipsa. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr 2, filloi procedimin penal për shtetasin B. Ç., 62 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në administrim të shtetasit B. Ç në rrugën “Nikolla Tupe” u sekuestrua një tavolinë pokeri së bashku me çipsa të cilat dyshohen që shërbenin për venien në dispozicion të lojrave të fatit ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Kontrolle kundër aktivitetit të paligjshëm të lojrave të fatit, do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e këtij aktiviteti të kundraligjshëm. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të kundraligjshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 2 janë ndalur dhe 80 po procedohen në gjendje të lirë.

Është ndalur 1 shtetas pasi ishte shpallur në kërkim, në qarkun Fier, i dënuar për veprën penale “Vjedhja”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, 1 në Shkodër, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Korçë, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja” 2 në qarkun Tiranë dhe 2 në Lezhë, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Fier, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në Tiranë, ku 5 autorë janë arrestuar dhe 1 është shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjenjde të lirë; 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Kukës, 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 14 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 9 të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, kokretisht: 5 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Berat, 1 në Lezhë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në qarkun Tiranë dhe 2 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar 6 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje te dehur, 3 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Berat, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Gjirokastër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.