Kapet dhe arrestohet përkohësisht një shtetas në kuadër të Operacionit Policor Ndërkombëtar “TARTARUGA”.
Bashkëpunimi ndërmjet policisë së Fierit dhe Interpol Tirana vë në pranga 35 vjeçarin i cili ishte shpallur në kërkim për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes”.
Në vijim të punës intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana, organizuan punën dhe bënë të mundur kapjen e shtetasit:
B.S, 35 vjeç, banues në Levan, Fier.
Arrestimi përkohësisht i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Romës ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Pjesmarrje në organizate kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes” të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.