Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit të TV “News 24”

Dibër

Policia e Shtetit ka ndaluar sot në mbrëmje në Peshkopi një person me precedente të shumëfishtë penale, ndaj edhe aksioni i ndalimit ka qenë kompleks.

Nisur nga të dhënat e marra në rrugë operacionale, operacioni ishte me risk të shtuar.

Në kushtet e këtij aksioni të zhvilluar në një situatë të tensionuar, një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin.

Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit të TV “News 24”.

Ky akt i pakëndshëm erdhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin.

Pavarësisht situatës së krijuar, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët dhe gazetarët se është në shërbim të tyre dhe ndodhi të tilla nuk do lejohen të përsëriten, pavarësisht arsyeve dhe situatave.