Operacioni nga Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me SH.Ç.B.A.
Goditet një rast i tentativës për trafikim të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion.
Në pranga 2 shtetas, si edhe një punonjëse e Policisë Kufitare Rinas.
Shpallet në kërkim shtetasi që do të priste shtetasen e mashtruar për ta shfrytëzuar për prostitucion në Francë.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “TRANZIT”, ku u bë e mundur arrestimi i shtetasve :
A.K., 29 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe A.Ç., 26 vjeç, lindur dhe banues në Librazhd.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas kanë tentuar të trafikojnë drejt Francës me qëllim shfrytëzimi për prostitucion një shtetase 26 – vjeçare, të cilën do ta priste në Francë shtetasi K.B, 33 vjeç, i cili dyshohet se do ta shfrytëzonte për prostitucion.
Shtetasi K.B. është shpallur në kërkim dhe në bashkëpunim me Policinë Franceze po punohet për kapjen e tij.
Po në kuadër të këtij operacioni në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F.K. 30 vjeçe, me detyrë kontrollore pranë Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas Tiranë. Kjo shtetase dyshohet se me veprimet e saj kundrejt ryshfetit dyshohet të ketë ndihmuar dhe lehtësuar procedurat e kalimit deri në zonën tranzit të Rinasit për shtetasen 26 – vjeçare.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Trafikim i personave”, ”Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.