Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 7, ku u plagos me armë zjarri një 30-vjeçar.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 7, Korçë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi I. Q., 30 vjeç, banues në Korçë, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të tre autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje konkretisht shtetasve:
L. D., 33 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, E. D., 27 vjeç, banues në fshatin Dishnicë, Korçë dhe E. N., 20 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet e kryera dhe provat e grumbulluara rezulton se këta shtetas, pasi janë konfliktuar fizikisht me shtetasin I.Q, e kanë goditur me sende të forta dhe e kanë plagosur me armë zjarri tip pistoletë, i cili aktualisht po merr mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana e Policisë po punohet intensivisht për kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”.