Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Durrës – Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit për monitorimin e zbatimit të masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ndëshkohen me masë administrative me nga 1.000.000 lekë, 2 subjekte, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative me nga 1.000.000 lekë, shtetasin F. N., pronar i një subjekti në lagjen nr .16, Durrës dhe shtetasin A. T., pronar i një subjekti në lagjen nr. 10, Durrës, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me Aktin Normativ. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo pronar subjekti që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer  burim rreziku për qytetarët.

Vlorë – Më datë 03.01.2021, shtetësi H. A., banues në fshatin Drithas, ka kallëzuar se mesditën e datës 01.01.2020 është larguar nga banesa vëllai i tij, shtetasi V. A., 37 vjeç. Po punohet për gjetjen e tij.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, nga këta: 24 janë të arrestuar, 1 është ndaluar dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4  raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje” dhe  4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 15 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 30 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 19 raste, 7 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 12 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtës pa leje, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 15 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 36 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.