Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Qëlluan me armë zjarri në ajër, identifikohen në kohë reale nga Policia. Finalizohet operacioni policor i koduar “Gajushi”, vihen në pranga 2 autorët. Sekuestrohen dy armë zjarri (një automatik dhe një pistoletë) dhe fitil zjarrpërcjellës.  Shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, pas njoftimit të marrë se në fshatin Gajush, Lezhë, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë i mundur identifikimi në kohë reale i 2 shtetasve që kishin qëlluar me armë zjarri në ajër.  Në bazë të provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Gajushi”, si rezultat i të cilit u bë kapja e arrestimi i personave të dyshuar R. H., 19 vjeç dhe S. H., 28 vjeç, banues në Milot, Kurbin. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit R. H. dhe ambientit përreth saj, gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar në ajër, të cilën ky shtetas e kishte fshehur në një depozitë uji në banesën e tij.  Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së shtetasit S. H., ku gjatë kontrollit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me një krehër dhe fitil zjarrpërcjellës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje ” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Krujë – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen 1 armë zjarri automatik, 7 krehra dhe municion luftarak. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që posedojnë armë zjarri, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Në përfundim të veprimeve është bërë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. Sh., 54 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. Sh., kanë gjetur 1 armë zjarri automatik, 7 krehra dhe 173 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan shtetasin D. K., 57 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë ditës së djeshme, ka marrë jashtë dëshirës së tij një shtetas të mitur 12 vjeç dhe e ka mbajtur në banesën e tij për 30 minuta, pasi i mituri kishte qëlluar me vezë në drejtim të banesës së 57-vjeçarit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan shtetasin S. P., 34 vjeç, banues në Roskovec, pasi në datë 28.12.2020, rreth orës 16:30, në fshatin Marinëz, duke drejtuar automjetin tip “Opel Astra”, në gjendje të dehur, ka aksidentuar shtetaset Z. K., 60 vjeçe dhe N. K., 33 vjeçe, banuese në Marinëz, Roskovec. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar të dyja shtetaset, të cilat u dërguan në spitalin e Fierit, ku të nesërmen ka ndërruar jetë shtetasja Z. K. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 45 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 14 janë arrestuar dhe 29 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 2 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Korçë dhe 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Berat, ku autori është ndaluar. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 5 për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Vlorë dhe 3 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve” në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 4 në Tiranë dhe 1 në Korçë dhe 2 në Dibër.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.