Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Muzgu 8”.
Operacioni nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Tentuan të transportonin emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga një 32-vjeçar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Sekuestrohen dy automjete dhe një aparat celular.
Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 8”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. Ç., 32 vjeç, banues në Krujë dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër (për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet).
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Qafë Muzinë – Gjirokastër do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit S. Ç., i cili u kap në afërsi të fshatit Jorgucat. Ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim, kanë tentuar të transportojnë 7 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetet tip “Volkswagen” dhe “Alfa”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.