Krujë – Vijojnë kontrollet për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Procedohet penalisht pronari i një subjekti në Krujë, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.

Strukturat e Policisë Krujë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjatë kontrolleve kanë konstatuar në Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit D. F., i cili kishte organizuar një festë familjare, në kundërshtim me Aktin Normativ.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u procedua penalisht shtetasit D. F., 28 vjeç, banues në Derven, Krujë, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”.

Ky shtetas është ndëshkuar një herë me masën administrative 1.000.000 lekë, pasi është konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Pas kontrolleve të tjera, këtij shtetasi i është pezulluar leja për ushtrimin e aktivitetit, pasi shërbimet e Policisë kanë konstatuar se ai vijonte përsëri të ushtronte aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.

Policia e Durrësit apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.