Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Shkodër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Ndalohet një person i shpallur në kërkim, i dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim. Në pranga edhe shtetas tjetër, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Gjokë Odri, 39 vjeç, banues në fshatin Grudë, Shkodër. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, në vitin 2018, e ka dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 26 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Vijon zbatimi i Planit të Masave në të gjithë qarkun e Durrësit, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në të gjitha fushat, kapjen e personave në kërkim dhe atyre mbajnë armë zjarri pa leje, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet. Arrestohet në flagrancë një 14-vjeçar, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. Shërbimet e Policisë në DVP Durrës, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, në vijim të kontrolleve të ushtruara në zbatim të Planit të Masave, kanë evidentuar dhe goditur një rast të armëmbajtjes pa leje në Sukth. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi i mitur A. V., 14 vjeç, banues në Sallmone, Shijak. Shërbimet e Policisë e kanë konstatuar shtetasin A. V., në afërsi të stacionit të trenit në Sukth dhe pas kontrollit fizik, në çantën e dorës i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.
Gjirokastër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, si dhe ndalohen dy shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe një pune të mirorganizuar, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. S., 37 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi, në datën 6 janar të vitit 2014, në Këlcyrë, ka qenë duke drejtuar një automjet dhe pasi ka parë shërbimet e Policisë ka kthyer automjetin dhe e ka braktisur në fshatin Peshtan. Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Policisë, në afërsi të mjetit u gjetën 115 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, e cila e ka dënuar shtetasin K. S., me 6 vite burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit N. T. ,18 vjeç, banues në Përmet, pasi në mënyrë të përsëritur ka përndjekur duke e fyer dhe kërcënuar nëpërmjet gjesteve fizike, verbale dhe thirrjeve telefonike shtetasen A. K.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në fshatin Palokastër, Gjirokastër, ku është dhunuar në banesën e saj shtetasja P. Q., u bë ekzekutimi i urdhrit të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për ndalimin e shtetasit K. Xh., 66 vjeç, banues në fshatin Palokastër, Gjirokastër. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 22 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 63 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Korcë dhe 1 në Fier; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 2 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 2 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 1 në Dibër, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës.
Janë 2 raste të falsifikimit të dokumenteve, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 armëmbajtjes pa leje, në Durrës, ku autori është në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të letërnjoftimeve, në Durrës, me 2 autorë të ndaluar.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.