Lezhë – Prezantohet forca e posaçme “Shqiponjat” e DVP Lezhë

Fjala e Drejtorit të Departamentit për Sigurinë Drejtues i Lartë Gjovalin Loka gjatë prezantimit të forcës së posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë

I nderuar z. ministër Lleshaj,
I nderuar prefekt i qarkut,
Të nderuar kryetarë të bashkive
I nderuar kryetar i qarkut,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar drejtues dhe kolegë të DVP Lezhë,
Të nderuar përfaqësues të medias,

Takimi i sotëm dhe gjithë takimet që kemi zhvilluar dhe do zhvillojmë në çdo Drejtori Vendore të Policisë, për të prezantuar forcën e posaçme “Shqiponjat”, kanë një qëllim madhor, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me qytetarët, për t’i përcjellë mesazhin se jemi në shërbim të tyre për t’iu garantuar sigurinë e jetës dhe të pronës dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt për zhvillimin shoqëror të vendit.

Kur vendosëm të krijonim me strukturë forcën e posaçme “Shqiponjat” në Tiranë, forcë e cila dha e po jep rezultate në drejtim të goditjes së elementëve me precedent kriminal, në ndërhyrjen në situata më të vështira që nuk mund të menaxhohen nga Patrullat e Përgjithshme, na lindi dëshira dhe ideja për të krijuar një forcë të tillë në çdo qark.

E nisëm me nga një skuadër eksperimentale pasi aq na lejonte organika, por tashmë, falë mbështetjes së qeverisë, para një muaji Policisë së Shtetit iu shtuan mbi 500 funksione organike në strukturë, një mbështetje shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme, pasi ne mundën të krijonim në të gjitha Drejtoritë këtë forcë të posaçme “Shqiponjat”, që jemi duke e prezantuar.

Krijimi i kësaj force ishte një domosdoshmëri dhe nevojë imediate për të gjitha Drejtoritë Vendore, pasi është një forcë e mirëtrajnuar, e aftë profesionalisht, me vajza e djem të rinj të gatshëm për të ndërhyrë në situata që cenojnë rendin e sigurinë apo më keq akoma jetën e qytetarëve.

Në qarkun Lezhë, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të strukturave policore që operojnë në këtë qark, kemi një situatë me parametra të qëndrueshëm përsa i përket kriminalitetit, ka një kontroll më të mirë dhe të plotë të territorit, rritje të forcës zbuluese dhe goditëse.

Kjo vërtetohet më së miri në zbardhjen në kohë rekord të ngjarjeve kriminale të ndodhura muajt e fundit në këtë qark, në angazhimin maksimal për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti, në zbatimin e masave anticovid, si dhe në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor, të nderuar qytetarë të qarkut Lezhë: bashkëpunimi me qytetarët, pushtetin vendor dhe institucionet është shumë i domosdoshëm dhe dobiprurës në punën tonë, pasi vetë misioni që ka Policia në tërësinë e tij ka në qendër të vëmendjes qytetarin dhe shërbimin ndaj tij.

Dhjetëra operacione policie të zhvilluara këto muaj falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë, për goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, si dhe për parandalimin e krimeve kundër personit, tregojnë se qytetarët e këtij qarku e mbështesin Policinë, e duan Policinë dhe besojnë te Policia.

Nisur nga këto fakte, për t’iu ardhur akoma më mirë në ndihmë qytetarëve në nevojë, për të rritur akoma më shumë parametrat e sigurisë, vendosëm të krijonin edhe këtë forcë si një faktor më tepër për sigurinë dhe për rritjen akoma më shumë të besimit të qytetarëve të Policia.

Të nderuar kolegë,

Misioni jonë është shërbim sa më cilësor për qytetarin dhe reagim sa më të shpejtë e ligjor ndaj shkelësve të ligjit.

Kërkoj prej jush dhe strukturave që operojnë në qarkun e Lezhës, që të punoni akoma më shumë, me dinjitet e performancë të lartë, të ashpër me kriminelët e shkelësit e ligjit e sa më me edukatë, kulturë e shërbim cilësor për qytetarët.

Jeni të rinj në moshë, por në detyrën fisnike dhe të vështirë që keni marrë përsipër, mos u dekurajoni nga vështirësitë, jepni më të mirën nga vetja në shërbim të qytetarëve dhe zbatoni ligjin dhe vetëm ligjin, duke qenë të vetëdijshëm se jeni shërbëtorë të ligjit dhe të qytetarëve dhe jo padronë të tyre.

Në këtë mënyrë ju, ne, e gjithë organizata e Policisë do ta ketë më të lehtë për të përmbushur misionin e saj, pasi do ketë në krah dhe mburojë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve që duan ligjin dhe rregullin.

Duke përfunduar dua të falënderoj edhe në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të gjithë strukturat e DVP Lezhë, për angazhimin, profesionalizmin, përballimin e ngarkesës gjatë fatkeqësisë natyrore të tërmetit, për parandalimin e kultivimit të kanabisit, për përballimin e ngarkesës gjatë sezonit turistik, përmbushjen e detyrave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe për reagimin profesional në parandalimin, dokumentimin dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale.

Përfitoj nga rasti të ftoj edhe njëherë qytetarët e qarkut Lezhë që të mbështesin akoma më shumë strukturat e Policisë që operojnë në këtë qark dhe të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri se vetëm bashkërisht ndërtojmë një ambient të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Faleminderit dhe suksese të gjithëve!