Raporti i ngjarjeve, 9 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Në kuadër të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3, u finalizua operacioni policor i koduar “Shop”.

Vihet në pranga një 17-vjeçar i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike, në zona të ndryshme të Tiranës.

Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, një çelës automjeti dhe një celular.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shop”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i një 17-vjeçari, banues në Kamëz.

Ky shtetas dyshohet se pasi siguronte sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis, e ndante atë në doza, të cilat më pas i shiste në zona të ndryshme në kryeqytet.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis, shuma parash të dyshuara të përfituara nga shitja e saj, një çelës automjeti dhe një celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Himarë

Angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i posedojnë ato. 

Finalizohet nga Forca e Posaçme Operacionale e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, operacioni policor i koduar “Strike 18”.  

Qarkullonte i armatosur, me automjet, dhe posedonte një armë tjetër, në banesë, kapet në flagrancë në Palasë dhe vihet në pranga 25-vjeçari.    

Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra, 1 automjet dhe 1 celular.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se një shtetas posedonte armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 18”, në kuadër të të cilit u bë kapja në fshatin Palasë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: 

-R. M., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër. Në vijim të kontrolleve të kryera në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një tjetër armë zjarri pistoletë dhe një krehër.     

2 armët e zjarrit pistoleta dhe 2 krehrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e tij tip “Benz” dhe 1 celular.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Dropull, Gjirokastër

Policia identifikon dhe arreston autorin e zjarrvënies në pyjet e fshatit Frashtan.

Prej mesditës së djeshme, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, të asistuar nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se në pyjet e fshatit Frashtan, në vendin e quajtur “Papasima”, kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit M. K., 39 vjeç, banues në fshatin Frashtan, Dropull.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar “Game over”.

Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke organizuar lotari të palejuara, në një lokal në Kamëz. 

Shpallet në kërkim pronari i lokalit, i cili e kishte përshtatur lokalin për organizimin e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit. 

Sekuestrohen 1 tavolinë pokeri, çipsa, celularë dhe letra bixhozi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Game over”. 

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi E. L., 24 vjeç, banues në Kamëz.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. K., 35 vjeç, banues në Kamëz.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., në rrugën “Donald Trump”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 1 tavolinë pokeri, çipsa, celularë dhe letra bixhozi, të cilat shtetasi E. L., punonjës i lokalit, i përdorte për organizimin e lojërave të fatit.  

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri, çipsa, celularë dhe letra bixhozi.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. K.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Informacion paraprak

Në orët e para të mëngjesit, në lagjen nr. 17, në automjetin tip “Benz” të parkuar, në pronësi të shtetasit A. A., ka rënë zjarr.

Si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur dhe një automjet tjetër, në pronësi të shtetasit E. H., që ishte i parkuar pranë automjetit tip “Benz”.  

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 47 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste. Për 11 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të vetëgjyqësisë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të prishjes së qetësisë publike, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, “Dhunimi i banesës”, “Fyerja” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për 1 rast të mëparshëm të veprave penale “Flasifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, ka filluar procedimi në gjendje të lirë për 1 shtetas.

1 shtetas i kërkuar pasi ishte dënuar për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, është kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.