Mirditë/Kontrolle të vazhdueshme, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit.
Konstatohet dhe goditet një rast i gërryerjes me mjete të rënda, të shtratit të lumit Fan, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm të inerteve.
Sekuestrohen një ekskavator dhe një kamion i mbushur me inerte.
Procedohet penalisht pronari i mjeteve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, kanë konstatuar dhe goditur një rast të gërryerjes së kundërligjshme të shtratit të lumit Fan.
Për këtë rast, u procedua në gjëndje të lirë shtetasi D. M., banues në Tiranë, pasi në Rubik, në një pjesë të shtratit të lumit Fan, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një ekskavator dhe një kamion të mbushur me inerte, në pronësi të këtij shtetasi, të cilat i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet, që veprimtarinë e marrjes së inerteve, në shtretërit e lumenjve, ta kryejnë sipas kushteve dhe kufijve të përcaktuar në dispozitat ligjore dhe në lejet përkatëse. Në çdo rast të konstatimit të shkeljes së këtyre akteve, do t’iu sekuestrohen mjetet dhe do t’iu ndalohet vijimi i kësaj veprimtarie.