Në vijim të bashkëpunimit mes Policisë dhe shkollave, si dhe në vijim të aktiviteteve me dyer të hapura me publikun, në kuadër të aktiviteteve për 107-vjetorin e krijimit të Policisë shqiptare, vogëlushët e shkollës 9-vjeçare “1 Maji” vizituan ambientet e brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nxënësit janë pritur nga Drejtori i Menaxhimit dhe Drejtimit Drejtues Skënder Doda, njëherazi edhe President i IPA Albania dhe shefi i Sektorit të Policisë Rrugore Mitat Tola, të cilët iu shpjeguan fëmijëve se një nga prioritetet kryesore të Policisë është rritja e sigurisë së jetës në shkollë, në rrugë dhe parandalimi i fenomeneve negative në shkolla.
Tola ka porositur fëmijët që të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në rrugë, të mos kalojnë rrugën aty ku mungojnë vijat e bardha dhe të pa shoqëruar me më të rritur, si dhe të jenë përherë vigjilentë që mos lejojnë motrat, vëllezërit dhe prindërit të drejtojnë automjetet me shpejtësi, të dehur dhe pa vendosur rripin e sigurimit.
Fëmijëve u janë shpërndarë broshura me rregulla të qarkullimit rrugor dhe materiale të tjera sensibilizuese.